Вашата еmail адреса
за најава на ЛОГИН
еmail листата



За Одјава
Komunat diskutuan se si të shfrytëzohen më së miri mjetet e Bankës Botërore për infrastrukturë rrugore lokale
1 февруари 2019
 

 

Në ndërtesën administrative të BNJVL-së, më 30 dhe 31 janar 2019 u mbajtën disa takime të kryetarëve të komunave dhe përfaqësuesve të pushtetit lokal nga tetë rajonet planore në vend me përfaqësues nga Banka Botërore dhe Ministria e Transportit dhe Lidhjeve. Bëhet fjalë për fillimin e procesit të identifikimit të projektit për përmirësimin e infrastrukturës rrugore lokale në vend, për të cilin Qeveria e Republikës së Maqedonisë merr hua nga ky institucion ndërkombëtar në vlerë prej 70 milion eurosh, të cilat komunat do t’i marrin si grant. U theksua se përgjegjësinë për realizimin e këtyre aktiviteteve do ta ketë njësia e projektit në kuadër të Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve. Takimet u iniciuan nga ana e Bankës Botërore me qëllim që të merren mendimet e kryetarëve të komunave në drejtim të definimit të projektit, përkatësisht se ku është më së miri të drejtohen mjetet dhe se cilat kritere do të ishin më të favorshme për komunat gjatë shpërndarjes së këtyre mjeteve.

Komunat shprehën kënaqësi për këtë mbështetje financiare të Qeverisë, veçanërisht pasi që bëhet fjalë për një infrastrukturë rrugore që nuk është mjaftueshëm e ndërtuar dhe është e vjetërsuar, me të cilën po ballafaqohen pothuajse të gjitha komunat në vend. Ata theksuan se, për shkak të kapaciteteve të dobëta fiskale, në përgjithësi nuk mund të sigurojnë intervenime më të mëdha infrastrukturore. Disa prej atyre, që kanë llogari të bllokuara ose buxhet shumë modest, nuk janë në gjendje të sigurojnë madje as mirëmbajtje të rregullt të rrugëve lokale.

Të pranishmit ishin në mendim se projekti duhet të japë një mundësi më të gjerë për përdorimin e mjeteve, përkatësisht të mos përcaktohet në mënyrë të rreptë qëllimi i përdorimit të këtyre mjeteve. U propozua që t’u jepet mundësi komunave që ato t’i përcaktojnë prioritetet e veta nëse këto mjete për momentin u nevojiten më së shumti për rehabilitimin e rrjetit ekzistues rrugor lokal, për ndërtimin e rrugëve të reja apo për mirëmbajtjen e tyre. Gjithashtu u theksua se projekti duhet të përcaktohet në mënyrë që secila komunë do të ketë mundësi të marrë nga këto mjete dhe sipas prioriteteve të saja, t’i përdorë ato për të ndërtuar rrugë deri te ndonjë zonë industriale ose në ndonjë vendbanim, për të rinovuar ose për të mirëmbajtur rrjetin ekzistues rrugor ose për të lidhur vendbanime të caktuara.

Në mendimet e shprehura të kryetarëve të komunave mbizotëronte edhe tendenca për mbështetje më të madhe për mjediset rurale dhe komunat me kapacitete të vogla fiskale dhe rrjedhimisht si kritere sipas të cilave do të mund të kryhej shpërndarja, u theksua metodologjia sipas së cilës kryhet shpërndarja aktuale e mjeteve të TVSH-së për komunat. Në të përfshihen numri i banorëve, madhësia e territorit, dendësia e popullsisë, kurse është veçanërisht e rëndësishme që përcaktohet kufiri i poshtëm dhe i sipërm i mjeteve, nën dhe mbi të cilin asnjë komunë nuk mund të marrë mjete. Kjo deri diku kontribuon për shpërndarje më të drejtë të mjeteve në favor të komunave më të vogla. Si modeli i dytë, i cili u theksua gjithashtu si një kriter i mundshëm, është shpërndarja e mjeteve nga Fondi i rrugëve. Në takim u theksua se si kriter mund të konsiderohej edhe niveli i mbledhjes që e ka realizuar komuna për mbledhjen e taksave të veta.

Në takim, përfaqësuesit e Bankës Botërore e dhanë edhe këtë ide për mendim: që një pjesë të këtyre mjeteve komunat të kenë mundësi t’i përdorin edhe për të krijuar ose për të përmirësuar sistemin për mirëmbajtjen e infrastrukturës rrugore. Përkatësisht, në këtë mënyrë do të mund të sigurohej një platformë elektronike për infrastrukturën lokale ekzistuese, krijim i sistemeve të mirëmbajtjes me mbështetjen e ndërmarrjeve publike, etj… Një numër i madh i komunave, sidomos ato më të voglat, theksuan se mirëmbajtjen e rrjetit rrugor e realizojnë me makineri vetanake dhe do të ishte e dobishme për to nëse një pjesë të mjeteve mund ta përdorin për t’i zëvendësuar ose plotësuar makineritë e vjetra dhe jo funksionale.

Komunat ishin unanime në kërkimin që, gjatë përgatitjes së projektit nga ana e Bankës Botërore, të mundësohet që brenda llogaritjes së projektit, komuna ta përfshijë edhe shumën e nevojshme për pagesën e TVSH-së për realizimin e aktiviteteve të parapara. Kjo është shumë e rëndësishme për komunat e vogla, të cilat janë ballafaquar me pamundësinë për t’i siguruar këto mjete dhe për këtë arsye nuk kanë guxim për të konkurruar për projekte të reja, sidomos kur bëhet fjalë për investime infrastrukturore apo kapitale.

Të pranishmit theksuan gjendjen reale të shfrytëzimit të pamjaftueshëm të mjeteve nga një sërë projektesh të deritashme ndërkombëtare, për shkak të dokumentacionit jocilësor teknik të dërguar nga komunat ose paaftësisë për të siguruar atë. Për këtë shkak u propozua që, sipas shembullit të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, zyra e projektit që do të hapet në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve, t’u japë mbështetje të drejtpërdrejtë komunave me përpilimin e dokumentacionit të nevojshëm të projektit, sidomos për komunat më të vogla, të cilat për shkak të financave dhe kuadrove nuk kanë mundësi ta bëjnë këtë. Gjithashtu u theksua se komisionet duhet të kenë një qasje më fleksibile gjatë miratimit të projekteve që dorëzohen. Nga komunat më të vogla propozuan që të jetë i detyrueshëm dokumentacioni i projektit vetëm nëse bëhet fjalë për ndërtim të një rruge të re, ndërsa kur bëhet fjalë për rehabilitimin e rrugëve të dërgohet vetëm përllogaritje. Në këtë mënyrë do të kursehen edhe para edhe kohë.

Përfaqësuesit e Bankës Botërore falënderuan për propozimet dhe mendimet e shprehura për të cilat thanë se janë të rëndësisë së madhe për përgatitjen e projektit. Ata theksuan se pritet që ai të miratohet deri në fund të vitit, ndërsa realizimi i tij të fillojë në vitin 2020. Kryetarët e komunave propozuan që komunat të cilat tashmë kanë përgatitur dokumentacionin, të kenë mundësi të përdorin mjetet sa më parë që është e mundur, për të cilën gjë nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve thanë se janë duke e shqyrtuar në mënyrë aktive mundësinë e këtillë.



назад

Прирачник за новоизбраните градоначалници и советници на општините

Годишен извештај 2018

Гласило

Урбана и одржлива мобилност-Mobilitet i qëndrueshëm urban

Стратешки план 2016 - 2020

Е - Градежна дозвола
Електронска градежна дозвола

Родова еднаквост


Градежно Земјиште
GRADEZNO ZEMJISTE

ЗЕЛС е-услуги




Forumski moderatori.mk

© Copyright ЗЕЛС 2009, Сите права се задржани.